
Sara Zenuni, nxënëse e shkollës fillore këtu, e flet gjuhën shqipe në mënyrë të shkëlqyer” theksoi z. Dervishi duke falenderuar Sarën e vogël me fustanin e bardhë dhe faqet e skuqura deri tek veshët. Në vijim Ambasadori i Shqipërisë në Greqi ka transmetuar konsideratat më të larta për mësuesen Veronika Shkurti dhe të gjithë pjesëmarrësit në përpjekjen për realizmin e edukimit të fëmijëve në gjuhën shqipe, por edhe për anëtarët e Bashkisë së Tinos, jo vetëm për kontributin në hapjen e klasës së gjuhës shqipe, por edhe për trajtimin e përgjithshëm ndaj komunitetit shqiptar të Tinos, të cilët kanë arritur të jenë mjaft të integruar në shoqërinë vendase ishullore. Konkretisht z. Dervishi ka theksuar se “shqiptarët me banim në Tinos, me punën dhe përpjekjet e tyre, duke arritur të jenë bashkëqytetarë të nderuar të Tinos, duke fituar respektin dhe vlerësimin e lartë të vendasve, me të cilët bashkëjetojnë harmonikisht e në mënyrë civile të qytetëruar, përbëjnë mesazherët dhe ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në Greqi, janë një shembull pozitiv për marrëdhëniet miqësore të dy vendeve fqinjë të Ballkanit, nga i cili duhet të mësojnë dhe qeveritë dhe politika”.
Ora e mësimit u kthye në rutinën e zakonshme, edhe pse një ditë e jashtëzakonshme për turmën e të vegjëlve, që herë të gjithë në një zë, herë secili me kokën ulur, recituan vargje poetike atdhetare të Naimit, Çajupit e jo vetëm...
Lorenc Koka dhe Artur Shkira, përfaqësuesit e Këshillit të Mësuesve të Shqipes në Greqi, depërtojnë mes tyre për të hapur kutitë e abetareve dhe fletoreve të punës. Si bletat e vogla, me gumëzhima e klithma hareje, vogëlushat mblidhen rreth tavolinës së mësueses (kush tha që duhet të vendosen në rradhë?). Ne të tjerët, më të rriturit, kthehemi në kalldrëmet e Tinos... misioni ka përfunduar me sukses, mbresat do të mbeten të pashlyeshme edhe shumë kohë më pas...
|