
Gjuha shqipe në ishullin e mrekullive
Tino inaguron shkollën e gjuhës shqipe, nën drejtimin e mësueses Veronika Shkurti, me plot 63 nxënës. Të pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së Abetareve dhe Fletoreve të Punës krejtësisht falas, ambasadori i Shqipërisë në Greqi, z. Dashnor Dervishi, kryetari i Lidhjes së Mësuesve të Gjuhës Shqipe në Greqi, Lorenc Koka, përfaqësues të pushtetit lokal dhe shumë prindër. Mjaft reale e të vërteta surprizat më të këndshme nga ishulli i shenjtë, edhe pse më 1 prill...
Nga IRA LONDO
Mbresa e kujtime
Mesjavë, e mërkurë 4/4/12, dhe qendra e Athinës gjendet përsëri nën rritmin e grevës. Rritmin, pikërisht siç e shkruaj, nga dritarja e katit te pestë të zyrës, depërton zëri i Grigoris Bithikocis me vargjet e Mikis Theodhorakis “një është dallëndyshja- dhe pranvera kaq e shtrenjtë- të kthehet dielli duhet punë shumë- duhen të vdekur me mijra në të hekurtat hallka-duhet të gjallët të japin gjak- o zot mjeshtri i parë- më ndërtove mes maleve- o zot më mbylle në det...!” Në det, mes dallgëve të bardha, anija dhe pulëbardhat na shoqëruan deri në Tino, vetëm pak ditë më parë. Grevë nuk kishte, po edhe shumë punë nuk kishin banorët fisnikë të Shën Mërisë të mrekullive. Krizën ekonomike nuk e frenojnë dot as mrekullitë, jo akoma.
Mes tyre një nënë-mësuese-grua e brishtë, një nga “dallëndyshet” e Theodhorakis, e duruar dhe e vendosur të rrëmbejë pranverën drejt e në klasën e vogël të shkollës tradicionale të Tinos. Mes nxënësve të saj, plot 63, të flasin shqip, të mësojnë Naimin dhe Çajupin; pyetjet e lezetshme e fantazia fëminore të shprehen në gjuhën e tyre, lehtë, thjeshtë, këndshëm!
Gjithmonë vizitorët shprehen të habitur për të rejat që takojnë, gjatë një udhëtimi. Mirësjellja, çudia e papritur e të resë, faktori human, ngjashmëria dhe veçantia e njerëzve, shkaktojnë thuajse gjithnjë një reagim pozitiv fillestar. Ditë më pas, më shoqërojnë mbresat më të mira nga udhëtimi rrufe në Tino, nga mirësjellja e vendasve dhe shqiptarëve (le t’i quajmë “vendas” nuk është ekzagjerim më)..., nga rutina e përditshme, e qetë dhe e rregullt, pa stresin e pluhurin e kryeqytetit, ku mungojnë zhgënjimet dhe indinjatat pafund. Kërkojnë dhe në Tino, këmbëngulin dhe arrijnë me punë e përpjekje aq sa duhet të kenë. Mësuese Veronika Shkurti nuk është thjesht një shembull i tillë, megjithatë. Boshti i vizionit të edukimit të fëmijëve të shqiptarëve edhe në shqip, tejkaloi brenda një kohe të shkurtër çdo burokraci e pengesë, trokiti në dyert e larta me vetëmohim e bindje të thellë në misionin e saj, derisa në 17 mars 2012, më në fund u gjend e ulur në katedrën e klasës, ndërsa nxënësit e prindërit dëgjuan zilen e parë të mësimit të gjuhës shqipe. Mos i’u duket diçka e vogël, e thjeshtë, e arritshme nga kushdo. Ndoshta në qytetet e mëdha novatorët janë bërë profesionistë, dyert janë hapur dhe mundësitë janë të shumta tashmë. Në Tino, një ishull ndër të shumtët e Greqisë, me pak banorë në dimër e shumë erë veriore në verë, shqiptarët duhet të shërbejnë, jo t’u shërbehet. Njerëz të mirë, jo, njerëz të përkryer vendasit, por gjithmonë të zotët e vendit. Një tjetër risi për Tinon, pjesëtarët e grupit tonë ndryshuan krejt mendimin për Greqinë falë trajtimit ndryshe, buzëqeshjes pa kompleks e ndihmës bujare të vendasve.
next
back
|